SOT FILLUAN KONSULTIMET PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i ka filluar sot konsultimet me përfaqësuesit e partive parlamentare me rastin e caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Në këto konsultime nuk marrin pjesë asnjë parti opozitare. Përndryshe Gjukanoviq u ka dërguar ftesë përfaqësueseve të partive dhe të koalicioneve parlamentare.

Në konsultime siç është kumtuar marrin pjesë kryetarët e Socialdemokratëve Ivan Brajoviq, të Partisë Boshnjake Rifat Husoviq, të Partisë Liberale, Andria Popoviq dhe të Iniciativës qytetare kroate, Adrian Vuksanoviq.

Në konsultime marrin pjesë edhe përfaqësuesit e partive shqiptare, Nazif Cungu, Nikë Gjeloshaj dhe Mehmet Zenka. Nga partitë opozitare, FD, Mali i Zi Demokratik, Lëvizja qytetare- URA, Partia Social Demokratike, Partia Socialiste Popullore dhe DEMOS-i kanë theksuar se nuk do të marrin pjesë në konsultime.

Të theksojmë se zgjedhjet e sivjetme parlamentare do të jenë zgjedhjet e 11-ta prej futjes së sistemit shumëpartiak dhe zgjedhjet e pesta në Malin e Zi të pavarur.

Zgjedhjet për këshilltarë dhe deputetë duhet të mbahen së paku 15 ditë para skadimit të periudhës zgjedhore të këshilltarëve, respektivisht deputetëve të cilëve u rrjedh mandati.

Prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre nuk mund të kalojnë më pak se 60 dhe as më tepër se 100 ditë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur me 16 tetor të vitit 2016.

SHARE