Foto: Reuters
Liderët evropianë janë pajtuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm dhe kanë për qëllim ta përgatisin një përgjigje, tha të premten kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Starmer foli nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ku udhëheqës nga dhjetëra vende evropiane u mblodhën për samitin e Komunitetit Politik Evropian, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Sapo patëm një takim me presidentin Zelensky dhe më pas një telefonatë me presidentin Trump, për t’i diskutuar zhvillimet në negociatat e sotme, dhe qëndrimi i Rusisë është qartësisht i papranueshëm”, u tha Starmer gazetarëve.
“Pas takimit me presidentin Zelensky, dhe diskutimeve me presidentin Trump, tani po i përafrojmë dhe bashkërendojmë përgjigjet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.
Ai tregoi se për vendimin e përbashkët me Trumpin u pajtuan edhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë.