KOMISIONERJA E BE-së: MUND TË HAPIM KËTË VIT TË GJITHË KAPITUJT ME SHQIPËRINË

Foto: AA

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos ka deklaruar se mund të hapen të gjithë kapitujt për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë këtë vit, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për “European Newsroom” (ENR) dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATA), Kos është shprehur se zgjerimi i BE-së sot “është vërtet ndryshe nga sa ishte pesë vjet më parë”.

Ajo ka theksuar se janë përballur disi me forcat e jashtme përçarëse që sipas saj do të donin të shihnin dështimin e procesit të zgjerimit.

“Ne duhet të thellohemi, duhet të zgjerohemi dhe duhet të kemi përgjigje për nevojat gjeopolitike dhe të sigurisë. Dhe në këtë aspekt, tani që jemi përballur, së pari duhet të tregojmë unitetin tonë. Shqipëria po bën një përparim vërtet të mirë dhe ne mund të hapim të gjithë grupkapitujt me Shqipërinë këtë vit”, tha Kos.

Komisionerja e BE-së ka shtuar se janë në gjendje të hapin të gjitha grupkapitujt edhe me Ukrainën dhe Moldavinë këtë vit, sipas saj bazuar në peshën teknike.

“Vizioni i qeverisë shqiptare, të cilën ne e mbështesim, është përfundimi i negociatave deri në fund të 2027. Pra, një vit më vonë dhe më pas do të thotë se Shqipëria mund të bëhet anëtare. Le të themi edhe nëse duam tre vjet deri në vitin 2030. Dhe mendoj se kjo është një perspektivë shumë realiste”, ka deklaruar Kos.

Ajo ka shtuar se për vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, në krahasim me Moldavinë dhe Ukrainën, ekziston një vizion i ri dinamik i Bashkimit Evropian për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Konferenca e katërt qeveritare u mbajt disa ditë më parë, duke shënuar hapjen e kapitujve të rinj në negociatat për anëtarësimin e vendit në BE.

SHARE