BE RRIT SHPENZIMET PËR MBROJTJEN

Foto: Reuters

Samiti i krizës në Bruksel prodhoi një deklaratë unanime mbështetëse të krerëve të bllokut europian për planin e rritjes masive të shpenzimeve për mbrojtjen.

Udhëheqësit e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së i hapën rrugën në parim armatimit të Europës. Bashkimi Europian “do të rrisë gatishmërinë e përgjithshme për mbrojtje, do të zvogëlojë varësinë strategjike, do të plotësojë boshllëqet e kapaciteteve kritike dhe do të forcojë bazën europiane të teknologjisë dhe industrisë së mbrojtjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Hungaria ishte e vetmja që bëri rezistencën, por kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e 26 vendeve të tjera që të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.

I gjithë ky mobilizim erdhi në sfondin e ndërprerjes së përkohshme të ndihmave ushtarake nga SHBA-ja për Ukrainën si dhe afrimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin. Kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen propozoi më herët zbutjen e rregullave në BE për borxhin si dhe stimuj të tjerë për rritjen e shpenzimeve kombëtare për mbrojtjen nga vendet anëtare. Gjithsej ajo do të angazhohen deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen kundër një agresioni të mundshëm të Rusisë.Në deklaratën e dytë 26 vendet anëtare, pa Hungarinë, ranë dakord që të mbështesin plotësisht Ukrainën në qëllimin e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Krerët e vendeve anëtare theksojnë në të, se nuk mund të ketë zgjidhje paqeje pa Ukrainën dhe europianët.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ishte i vetmi që nuk pranoi ta mbështeste deklaratën dhe i akuzoi liderët europianë se po kërkojnë që ta zgjasin luftën në Ukrainë, ndërsa shtoi se ai dhe presidenti i SHBA-së Trump duan “paqen”.

SHARE