SHEFI I ZYRËS SË BE-së NË KOSOVË, TAKOHET ME LIDERËT POLITIKË TË VENDIT

Foto: Zyra e Kryeministrit

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën në takime të ndara me liderët e partive politike në Kosovë, transmeton Anadolu.

Orav nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se këto takime janë mbajtur për të diskutuar për hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Orav tha se qytetarët e Kosovës duan anëtarësimin në BE, për çka Qeveria duhet të punojë për ta realizuar.

“Zhvilluam takime të veçanta me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn për të diskutuar hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve. Theksova se shumica dërmuese e njerëzve në Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë”, ka shkruar Orav.

Lidhur me takimin me ambasadorin Orav, Kryeministria tha se Kurti ka biseduar me zyrtarin evropian për hapat e mëtejmë drejt konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli”, u tha në njoftimin për media.

Procesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit po vijon ende me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës, derisa numërimi i votave për subjektet politike ka mbetur në 99.72 për qind. Pas certifikimit të rezultatit nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), partia e parë politike e dalë nga këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje.

SHARE