Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Është absolutisht e rëndësishme që Mali i Zi të ketë marrëdhëniet më të mira me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA), tha kryeministri Millojko Spajiq, duke shtuar se askush nuk dëshiron të jetë pjesë e një lufte tregtare.
Në një intervistë për CNN, ai tha se marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së nuk do ta quante konfrontim, të paktën jo ende dhe se është i sigurt se do të gjendet zgjidhja më e mirë.
“Jam shumë i sigurt se ata do të gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë. Tarifat e eksportit nuk janë padyshim një temë e këndshme dhe askush nuk dëshiron të jetë pjesë e një lufte tregtare, pasi do të sillte me vete çështje të tjera të përbashkëta. Siguria dhe mbrojtja mund të bëhen peng i çështjeve të tjera. Askush nuk e dëshiron këtë dhe unë me të vërtetë shpresoj se ne mund t’i zgjidhim gjërat së shpejti,” tha Spajiq.
Ai shtoi se i kupton partnerët amerikanë, të cilët ndonjëherë besojnë se kushtet tregtare janë të padrejta.
“Njerëzit e profesionit duhet të punojnë për këtë, të shqyrtojnë zgjidhjet dhe jam i sigurt se do ta gjejmë rrugën më të mirë”, tha Spajiq.
I pyetur se si do të ndikojë ajo që po ndodh në SHBA në Malin e Zi, ai u përgjigj se gjithçka që prek BE-në ndikon tek Mali i Zi.
“BE është partneri ynë më i madh tregtar dhe investitori më i madh, ndaj është absolutisht e rëndësishme që ne të kemi marrëdhëniet më të mira me BE-në, por edhe me SHBA-në. Si anëtare e NATO-s, ne jemi pjesë e të njëjtit grup aleatësh, kështu që është thelbësore që t’i mbajmë këto marrëdhënie të paprekura”, tha Spajiq.
I pyetur se si po shkojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe sa i afërt është Mali i Zi me të, ai tha se po punohet ditë e natë dhe se është i pari në radhë.
“Ne shpresojmë që të mbyllim të gjithë kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm, që do të thotë edhe një vit e gjysmë, ose gati dy vjet negociata dhe rregullime. Na pret një punë shumë e vështirë. Shpresojmë që në vitin 2028 të bëhemi anëtari i 28-të i BE-së”, tha kryeministri.