SHBA, PROPOZIMI “TASHMË” ZYRTAR: TË ULET NIVELI I NIKOTINËS NË CIGARE

Peter Dazeley / Getty Images

Autoritetet federale në SHBA propozuan zyrtarisht atë që ka qenë një kërkesë e hershme e aktivistëve kundër duhanit: Prodhimin e cigareve që shkaktojnë më pak varësi, duke kufizuar nivelin e nikotinës.

Kjo nismë megjithatë, sipas ekspertëve, pak gjasa ka që të hyjë në fuqi së shpejti.

Rregulli i propozuar nga agjencia qeveritare ‘Administrata e Ushqimit dhe Barnave’ (FDA) vjen në ditët e fundit të mandatit të Presidentit Joe Biden, gjë që zvogëlon në masë të madhe gjasat që vërtet të miratohet, thekson VOA.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe të emëruarit e tij për shëndetësinë nuk e kanë komentuar propozimin.

Një përpjekje e ngjashme e komisionerit të kësaj agjencie qeveritare gjatë mandatit të parë të Trump, Dr. Scott Gottlieb, u tërhoq pa u miratuar. I emëruari i zotit Trump për postin e Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka ofruar pak të dhëna se si do të rregullohet çështja e duhanit për të forcuar përpjekjet e qeverisë për të luftuar sëmundjet kronike.

Edhe nëse propozimi miratohet nga administrata e Presidentit të zgjedhur Trump, kompanitë e duhanit si ‘Reynolds American’ dhe ‘Altria’ është pothuajse e sigurtë se do ta kundërshtojnë atë në gjykatë, duke shtyrë zbatimin e tij.

FDA-ja, e cila e ka studiuar çështjen për disa vite, pohoi së fundi se ulja e nivelit të nikotinës do të ndihmonte gati 13 milionë duhanpirës aktualë që të linin duhan, brenda një viti. Afërsisht 48 milionë të rinj të tjerë nuk do ta nisnin kurrë këtë zakon, sepse në këtë mënyrë cigarette, cigaret nuk do të krijonin më varësi.

“Ky veprim, nëse miratohet dhe zbatohet, mund të shpëtojë shumë njerëz dhe të zvogëlojë në mënyrë dramatike barrën e sëmundjeve të rënda, duke kursyer gjithashtu shuma të mëdha parash”, tha nëpërmjet një deklarate komisioneri i FDA-së, Robert Califf.

Sipas planit të agjencisë, nikotina në cigare do të kufizohej në nivele që “nuk do të mund të krijonin më varësi dhe as ta vazhdonin varësinë tek njerëzit që pijnë duhan”.

SHARE