GATI RIAKTIVIZIMI I QENDRËS SË EMIGRANTËVE NË GJADËR

Foto: Presidency of the Council of Ministers

Italia do të nisë këtë muaj, të sjellë sërish në kampin e Gjadrit, emigrantë të jashtëligjshëm të cilëve u refuzohet azili nga autoritetet e këtij vendi. Kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni njoftoi këtë të enjte gjatë konferencës së përvitshme me gazetarët, se qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit janë rivendosur në funksion.

“Qendrat në Shqipëri janë gati për t’u vënë në punë nga momenti në moment, por për fat më mirë, vitin e kaluar zbarkimet kanë rënë me 60% dhe javët e fundit, ndërsa javët e fundit nuk ka patur fare”, tha Meloni.

Shefja e qeverisë së Romës shprehu bindjen se të gjitha barrierat e drejtësisë italiane për zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë tashmë janë hequr, pas një vendimi të pjesshëm të Gjykatës së Lartë në Dhjetor.

Më duket se vendimet e Gjykatës së Kasacionit i japin të drejtë qeverisë për të përckatuar vendet e sigurta të origjinës. Për rrjedhojë, gjykatësit nuk mund të ndalojnë sistematikisht emigrantët të dërgohen në Shqipëri, përveç rasteve të caktuara. Pra është fjala për një vendim që shkon përkundër atyre të Gjykatës së Romës”,shprehet kryeministrja Meloni.

Qeveria italiane dërgoi në Gjykatën e Lartë vendimet e gjykatësve në Romë, që kthyen dy herë emigrantët e dërguar në kampin e Gjadrit, një herë para dhe një herë pas shpalljes së listës së vendeve të sigurta të origjinës.

Megjithatë, pritet që kjo çështje të marrë zgjidhje kur listat e vendeve të sigurta të origjinës të shpallen nga Bashkimi Europian.

SHARE