Foto: Pamflet
Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së premtes, kanë dëmtuar edhe ndërtesat ku ndodhen ambasadat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale”, thuhet në një njoftim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Duke dënuar sulmin, ministria thotë se sulmi është akt i pakuptimtë ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar. Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.
“Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.
Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.