Foto: AP
Këshilli Europian i dha dritën jeshile një pakete të 15-të sanksionesh ndaj Rusisë, e cila përfshin 54 individë dhe 30 subjekte të konsideruara përgjegjëse për veprime që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
/ Sanksionet prekin gjithashtu cisternat e naftës që janë pjesë e flotës hije të Vladimir Putinit, të cilat anashkalojnë mekanizmin e kufirit të çmimit të naftës ose që mbështesin sektorin energjetik të Rusisë, apo anijet përgjegjëse për transportin e pajisjeve ushtarake në Rusi dhe të përfshira në transportin e grurit të vjedhur ukrainas.
Në listë janë gjithsej 52 anije të tilla. “Rusia po e vazhdon ofensivën e saj brutale kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas. Kjo paketë sanksionesh është pjesë e përgjigjes sonë për të dobësuar makinën luftarake të Moskës, dhe atyre që mundësojnë këtë luftë duke përfshirë këtu edhe kompanitë kineze. Kjo tregon unitetin e vendeve anëtare të BE-së në vazhdimësinë tonë.
Përparësia jonë e menjëhershme është ta vendosim Ukrainën në pozitën më të fortë të mundshme fitojë”, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas. Për sa i përket individëve, Brukseli po sanksionon njësinë ushtarake përgjegjëse për goditjen e spitalit të fëmijëve Okhmadyt në Kiev, menaxherët e lartë në kompanitë kryesore në sektorin e energjisë, si dhe individë përgjegjës për deportimin e të miturve.
Ndërsa për sa i përket subjekteve, BE-ja synonte kryesisht kompanitë ruse të mbrojtjes dhe kompanitë e transportit detar përgjegjës për transportin e naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës nga deti, duke siguruar të ardhura të rëndësishme për qeverinë ruse.