Foto: Panorama
Mbrëmë para mesnate është hedhur një garantë dore në oborrin e komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës.
Policia e Kosvoës njoftoi se nga ky shpërthim nuk ka të lënduar, por vetëm dëmtime të ndërtesës së komunës dhe katër veturave të parkuara afër vendit ku ndodhi shpërthimi.
“Mbrëmë para mesnate ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit ‘M-75’. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit dhe po ashtu edhe në katër vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”, tha Veton Elshani, zëdhënës i Policisë për rajonin e veriut.
Sipas tij, policia është duke e hetuar rastin, derisa në raportin e Policisë rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
“Raportohet se si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur janë dëmtuar disa pjesë të objektit të komunës, si dhe xhamat e disa veturave që kanë qenë të parkuara në afërsi. Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur nga një mjet shpërthyes (granatë dore) që është hedhur nga persona të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar ashpër sulmet që po bëhen ndaj institucioneve të Kosovës në veri të vendit, duke theksuar se sulmet e tilla kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë. Ai u shpreh se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së strukturave kriminale.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”, tha Kurti për mediat.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e “dëshpërimit dhe qyqarllëkut” të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi.
“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.
Sulmin me granatë dore në ndërtesën e komunës së Zveçanit e dënoi edhe kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, i cili e quajti “akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit”.
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:45, disa individë të paidentifikuar kanë kryer një sulm ndaj objektit të komunës së Zveçanit me granata dore. Ky akt i dhunshëm ka shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar”, shkroi Peci.
Ky është sulmi i dytë brenda kësaj jave ndaj institucioneve lokale të Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe. Të martën në mbrëmje janë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan.