Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ndodhet për një vizitë pune në Singapor.
„Singapori po vendos standardet në procesin e digjitalizimit të administratës publike, prandaj duhet të jetë model për Malin e Zi se si të përfundojë shpejt ai proces, i cili është shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve,“ vlerësoi kryeministri Spajiq gjatë një takimi me ministren e Singaporit për Zhvillimin Digjital dhe Informacionin, Josephine Teo.
“Ky vend aziatik konsiderohet si një nga liderët globalë në këtë fushë, dhe sistemi i tyre i qeverisjes elektronike është jashtëzakonisht efikas, i aksesueshëm dhe inovativ, kështu që bashkëpunimi i Ministrisë së Administratës Publike me kolegët nga Singapori është një mënyrë për të zbatuar sisteme të ngjashme në Mal të Zi,“ theksoi ai.
Siç është njoftuar nga Qeveria, punonjësit tashmë në mënyrë indirekte marrin mbështetje eksperte nga Qeveria e Singaporit, përmes trajnimeve të organizuara për vende të tjera. Josephine Teo, e cila është në krye të procesit të kombit të zgjuar, beson se digjitalizimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për tërheqjen e kompanive më të famshme, sepse ndikimi i industrisë së IT-së është vazhdimisht në rritje dhe është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë.
“Ne do të jemi të lumtur ta ndihmojmë Malin e Zi në këtë proces të rëndësishëm. Ne jemi pjesë e një aleance që ndan të mirat publike digjitale dhe një pjesë e mirë e programeve tona janë me burim të hapur dhe të disponueshme për vendin tuaj. Nëpërmjet programit të kombit të zgjuar, fillimisht u fokusuam në digjitalizimin e ekonomisë dhe po punohet për përfshirjen e të gjitha pjesëve të popullsisë, por edhe për të forcuar lidhjet në komunitet, të cilat janë dobësuar për shkak të përdorimit të teknologji moderne”, shtoi Teo.
Gjatë takimit u fol edhe për rikualifikimin e fuqisë punëtore, të cilin Singapori po e zbaton vazhdimisht dhe po krijon stafin e nevojshëm për të përmbushur kërkesat e tregut. Kryeministri Spajiq njoftoi se Mali i Zi gjithashtu synon të diversifikojë fuqinë punëtore përmes kurseve të shkurtra.