MALI I ZI MBËSHTETI DEKLARATËN PËR PËRMIRËSIMIN E VEPRIMIT KLIMATIK NË TURIZËM

Foto: Qeveria e Malit të Zi – Ministria e Turizmit / Vlada Crne Gore – Ministarstvo turizma

Mali i Zi, së bashku me vendet e tjera pjesëmarrëse në COP29 në Baku, mbështeti Deklaratën për përmirësimin e veprimit klimatik në turizëm, duke vlerësuar domosdoshmërinë për të inkurajuar të gjitha aktivitetet që mund të kontribuojnë në parandalimin e pasojave negative për sektorin e turizmit dhe mikpritjes, njoftoi Ministria e Turizmit.

“Kjo Deklaratë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, e cila forcon angazhimin e sektorit të turizmit për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e përgjegjshëm, si dhe do të shërbejë si një kornizë që do të frymëzojë veprime konkrete midis të gjithë aktorëve në mbarë botën”, thuhet në njoftim.

Sipas ministres së Turizmit, Simonida Kordiq, turizmi është shumë i cenueshëm, pra i ndjeshëm ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, të cilat janë veçanërisht të dukshme vitet e fundit.

“Ndryshimet klimatike janë të pandalshme dhe prekin si turizmin dimëror ashtu edhe atë veror. Në kushte të tilla, duke e perceptuar si sfidë situatën e krijuar nga ndryshimet klimatike, vendimmarrësit në Mal të Zi, si në nivel shtetërorë ashtu edhe në atë lokal, në bashkëpunim me partnerë të shumtë janë të përkushtuar për diversifikimin e produktit turistik, d.m.th. për zhvillimin e ofertës për të gjitha 365 ditët”, tha ajo.

Kordiq, siç thuhet nga departamenti i saj, tha se është nder dhe kënaqësi e saj që mund të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta në emër të Malit të Zi për të reduktuar efektet negative gjithnjë e më të theksuara të ndryshimeve klimatike në sektorin e turizmit.

“Meqë aktualisht 53 për qind e nënshkruesve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike e njohin turizmin si një sektor të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike, u konstatua edhe nevoja për ta vënë këtë çështje në fokus të COP 29 të sivjetmë, e cila paraqet një pikë kthese për këtë degë ekonomike”, thuhet në njoftim.

Siç konkluduan ata, iniciativa presidenciale COP29 është Samiti më i rëndësishëm për ndryshimet klimatike që mbledh përfaqësues nga pothuajse të gjitha vendet e botës.

SHARE