KRYETARI NIMANBEGU I KËRKON KRYEMINISTRIT SPAJIQ NDËRTIMIN E SALLËS SË OPERACIONIT NË ULQIN

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i ka dërguar shkresë kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe ministrit të Shëndetësisë, Vojisllav Shimun, në të cilën kërkon mjete buxhetore për vitin e ardhshëm për ndërtimin e sallës së operacionit në Maternitetin e Ulqinit si dhe mjetet për hartimin e dokumentacioneve projektuese për spitalin e ri në Ulqin.

Në shkresë, kryetari Nimanbegu, shpreh keqardhje  për rastin tragjik të humbjes së jetës së Drita Tafës dhe situatës së rëndë të bashkëqytetares Asmira Alosheviq dhe kërkon nga kryeministri  dhe ministri i Shëndetësisë, mbështetje për të zbardhur të drejtën nga këto ngjarje, sepse deklarata e drejtorit të spitalit të Tivarit, Ivan Karishik, ishte tejet shqetësuese dhe ka shtuar pasigurinë e trajtimeve shëndetësore tek qytetarët e Komunës së Ulqinit.

„Në bazë të ngjarjeve të fundit dhe bisedave tona të mëparshme, kërkojmë nga Ju që në buxhetin e shetit për vitin 2025 të përfshihen fondet e nevojshme për ndërtimin e një salle të operacionit në maternitetin në Ulqin, me qëllim ndërtimin e një institucioni shumë të rëndësishëm shëndetësor,“ thuhet ndër të tjera në kërkesë.

SHARE