GJERMANIA I BËN THIRRJE SERBISË T’I RISHQYRTOJË PROJEKTLIGJET PËR KOSOVËN

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje të premten Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Në një shkrim në X, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.

“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë pa asnjë vonesë marrëveshjen e Ohrit, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Ministria gjermane.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat njëzëri thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

SHARE