MARRËVESHJA SHQIPËRI-ITALI, MBËRRIN GRUPI I PARË I EMIGRANTËVE

Grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm që janë ndaluar nga autoritete italiane ka mbërritur në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, raporton Anadolu.

Anija “Libra” e marinës italiane ka mbërritur në Portin e Shëngjinit në Qarkun e Lezhës, duke sjellë grupin e parë të emigrantëve, të cilët do t’u nënshtrohen më pas procedurave të përshpejtuara kufitare.

Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thuhet se policia ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare.

“Në Portin e Shëngjinit u ankorua anija ‘Libra’ e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë”, thuhet në njoftim.

Grupi i emigrantëve janë vetëm meshkuj, ndërkohë nën masa të larta sigurie dhe nën shoqërimin e forcave të policisë, emigrantët janë transferuar më pas në qendrën ku do të qëndrojnë në ditët në vazhdim.

Emigrantët do të qëndrojnë në qendrën e ngritur në fshatin Gjadër të Qarkut të Lezhës, në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre për azil.

SHARE