DASH PËRSËRIT SE DIALOGU KOSOVË-SERBI ËSHTË E VETMJA RRUGË PËRPARA

Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit u bëri po ashtu thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.

SHARE