Për herë të parë në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor u aplikua terapia novatore gjenetike, e cila përfaqëson një zbulim revolucionar në trajtimin e atrofisë muskulare spinale tipi 1.
„Është një sëmundje që çon në humbjen progresive të të gjitha funksioneve të jetës dhe shpesh përfundon me vdekje në vitet e hershme të jetës, për të cilat deri tani kemi pasur mundësi të kufizuara trajtimi,“ njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
“Ilaçi Zolgensma është i disponueshëm në treg që nga viti 2017 dhe përdorimi i tij në Mal të Zi tregon vendosmërinë për të mos mbetur prapa në aplikimin e terapive më moderne që ofrojnë mundësi për një jetë normale për bashkëqytetarët tanë më të rinj. Me këtë rast dua të lavdëroj ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm punoi në miratimin e protokollit dhe të gjitha aktivitetet përgatitore që ishin të nevojshme që ilaçi të vinte në Mal të Zi”, tha ministri i Shëndetësisë Dr. Vojisllav Shimun.
Ai posaçërisht theksoi dhe vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit të Institutit për sëmundje të fëmijëve, të udhëhequr nga dr. Nella Ivanoviq.
“Së bashku me ekspertët kryesorë nga Evropa dhe rajoni, përfshirë profesorin e shquar Laurent Servais nga Qendra për Sëmundjet Neuromuskulare në Oksford, arritëm të hedhim themelet për aplikimin e suksesshëm të këtij trajtimi. Gjithashtu, kemi shkuar edhe një hap më tej, sepse Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në fillim të vitit të ardhshëm do të prezantojë depistimin për atrofinë muskulare kurrizore. Ky program do të përmirësojë ndjeshëm shanset për zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke mundësuar aplikimin në kohë të terapisë gjenetike me potencialin për të parandaluar plotësisht përparimin e sëmundjes”, shpjegoi Shimun.
Ai shtoi se duke pasur parasysh të gjitha këto të lartëpërmendura, kemi bërë një hap të madh për më të rinjtë tanë.
“Sistemi shëndetësor i Malit të Zi tregon se është i aftë të ofrojë kujdesin më të mirë të mundshëm për qytetarët tanë dhe t’i bashkohet radhëve të vendeve që janë lider në aplikimin e arritjeve më moderne mjekësore,” theksoi ministri Shimun.