BEGAJ: TË MBËSHTESIM PA KUSHTE KOSOVËN, OBJEKTIV KRYESOR, ANËTARËSIMI NË BE

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj priti ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë.

Kreu i shtetit e cilësoi këtë pritje si një mundësi e mirë bashkëbisedimi për çështje me rëndësi të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare,“ tha Begaj.

Presidenti u vuri në dukje se roli si diplomatë lidhet me ekspertizën e tyre dhe shtoi se Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare.

Ai bëri edhe një kërkesë speciale, atë për t’u qëndruar afër shqiptarëve në çdo hapësirë dhe në çdo situatë.

“Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj,” theksoi ai.

Kreu i shtetit theksoi se pret një komunikim dhe informim real e të drejtpërdrejtë për zhvillimet në vendet apo rajonet që diplomatët mbulojnë.

SHARE