Në Shqipëri është mbajtur një protestë antiqeveritare, me thirrjen nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike(PD), ndërkohë protesta është shoqëruar me tensione.
Protesta me sloganin “Të bashkuar në betejë, o sot o kurrë” është organizuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sipas organizatorëve, kundër korrupsionit të zyrtarëve dhe për të kërkuar qeveri teknike.
Protesta është shoqëruar me tensione duke u hedhur molotovë ndaj selisë së Kryeministrisë, ku nga zjarri është dëmtuar edhe dera kryesore e saj.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda PD-së, në fjalën e tij online gjatë protestës u shpreh se do t’i rikthejnë Shqipërisë demokracinë.
Kujtojmë se ndaj Berishës është në fuqi masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar sipas autoriteteve shqiptare për korrupsion.
“Kjo nuk është një betejë politike, kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë. Kjo luftë kërkon dhe meriton çdo sakrificë nga demokratet dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të shqiptarëve, për familje solide, për shtetin ligjor, demokracinë, prosperitetin dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Por kjo luftë nuk do të luftohet dhe nuk duhet të luftohet vetëm nga Partia Demokratike. Kjo është lufta e çdo shqiptari”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë.
“Të bashkoheni për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë. Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë”, tha Berisha.
Në protestë mbajti fjalim edhe ish-presidenti i Shqipërisë dhe presidenti i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pas fjalimeve, një grup i protestuesve u zhvendosen para selisë së Bashkisë së Tiranës, ku edhe u përplasën me forcat e policisë, ndërkohë janë hedhur molotovë edhe ndaj selisë së bashkisë.
Disa protestues në fund janë zhvendosur edhe para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, në Shqipëri janë organizuar në muajit e fundit edhe protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, të cilat janë shoqëruar me tensione.