Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, vend që kryeson me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme dhe Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, ku do të marrin pjesë delegacionet e 13 vendeve pjesëmarrësve të Procesit.
Përpos kësaj, në takim të pranishëm janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC). SEECP është nismë rajonale në të cilën janë anëtarë 13 vende: Maqedonia e Veriut, Türkiye, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.
Në takim, Türkiye u përfaqësua nga zv/ministër i Punëve të Jashtme, Mehmet Kemal Bozay.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, hapi takimin duke u dëshiruar mirëseardhje në Shkup të gjithë kryesuesve dhe anëtarëve të delegacioneve. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka pasur një kryesim të suksesshëm me SEECP-në, duke shtuar se ka arritur rezultate të rëndësishme.
“Ne duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona drejt qëllimit përfundimtar: Anëtarësimit në BE të vendeve të SEECP-së që nuk janë anëtare në BE. Zgjerimi i BE-së është një nga projektet më të suksesshme të paqes në kontinentin evropian që sjell vlera të pazëvendësueshme në ndërtimin e shoqërive rezistente dhe arritjen e progresit dhe prosperitetit ekonomik”, tha Osmani.
Ai theksoi se asnjë alternativë nuk duhet të zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, duke shtuar se për anëtarësim të plotë mund të nevojiten më shumë vite, andaj sipas tij, rajoni ka nevojë për më shumë integrim para anëtarësimit të plotë.
Duke folur për sfidat e sigurisë, Osmani tha se sfidat gjeopolitike kërkojnë vëmendje dhe mobilizim të plotë të të gjithë vendeve të rajonit.
“Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe të përmirësojmë kapacitetet dhe aftësitë tona kombëtare dhe rajonale për të zbuluar, zvogëluar dhe parandaluar çdo ndikim keqdashës që mund të dëmtojë potencialisht stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Evropës Juglindore”, tha Osmani.
Maqedonia e Veriut mori kryesimin e SEECP-së në korrik 2023 nën moton “Tejkalimi i përçarjeve, ndërtimi i besimit”.
Gjatë ditës gjithashtu do të mbahet edhe takimi i krerëve të shteteve të 13 vendeve, ku nikoqire do të jetë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe ku pritet të miratohet deklaratë e përbashkët.