Paqja në Evropë, që ka lulëzuar prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është zhdukur si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, të nisur më 2022, dhe përbën kërcënim për gjithë kontinentin, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ne jetojmë në kohën kur Evropa nuk është më kontinent i paqes”, ka thënë Zelensky para Parlamentit të Francës në Paris, më 7 qershor.
Më vonë gjatë ditës, ai do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Ne jetojmë në kohën kur nazizmi po kthehet sërish, fatkeqësisht. Tani në Evropë qytetet sërish po shkatërrohen dhe fshatrat po bëhen hi. Në Evropë ende kemi kampe filtrimi, dëbime dhe urrejtja është bërë kult i ri në Rusi”.
Si Biden, ashtu edhe Zelensky, janë duke marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të së ashtuquajturës Ditës D, përgjatë së cilës shënohet zbarkimi i forcave ushtarake aleate në Normandi, që më pas ka rezultuar me mposhtje të nazizmit.
Përgjatë një fjalimi të mbajtur më 6 qershor, Biden ka thënë se bota e lirë është me Ukrainën dhe nuk do t’i nënshtrohet agresionit rus, duke ngritur paralele me luftën e forcave aleate për të çliruar Evropën prej Gjermanisë naziste.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk do ta braktisin Ukrainën, ka thënë Biden.
Në ceremoninë përkujtimore nuk është ftuar as presidenti rus, Vladimir Putin, dhe as zyrtarë tjerë të Rusisë.
Përgjatë bisedimeve të Bidenit me Zelenskyn, tema kryesore e bisedës pritet të jetë synimi i Kievit për t’u anëtarësuar në aleancën 32-anëtarëshe, NATO-n.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për revistën amerikane Time, Biden ka thënë se nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Në një intervistë të gjatë, Biden ka thënë se “paqja duket ashtu kur të sigurohemi që Rusia, kurrë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do të mund të pushtojë Ukrainën. Ashtu duket paqja”.
Por, ai më pas ka shtuar, “kjo nuk nënkupton NATO-n, që ata të jenë pjesë e NATO-s”.
“Nënkupton që të kemi një marrëveshje me ta, sikurse e kemi me vendet tjera, ku dërgojmë armë, që ato shtete të mbrojnë veten në të ardhmen. Mirëpo, nuk jam i përgatitur për të mbështetur anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.