GJELOSHAJ ME MINISTRIN E TRANSPORTIT TË ÇEKISË: DUAM TË PËRMIRËSOJMË BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E EKONOMISË DHE INFRASTRUKTURËS

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, ka takuar ministrin e Transportit të Republikës Çeke, Martin Kupka, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Zëvendëskryeministri Gjeloshaj i uroi mirëseardhje delegacionin çek dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Ai falënderoi veçanërisht Republikën Çeke për mbështetjen e saj në procesin e integrimeve evropiane.

„Qeveria e Malit të Zi është plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, prandaj duam të përmirësojmë bashkëpunimin në të gjitha sferat relevante, veçanërisht në ekonomi dhe infrastrukturë,“ tha Gjeloshaj.

Zëvendëskryeministri shtoi se: “Investimet nga vendet e BE-së si Republika Çeke janë me interes të veçantë për Malin e Zi, jo vetëm për zhvillimin e tij ekonomik, por edhe për vlerat që ato promovojnë. Qeveria e Malit të Zi do të jetë një partner dhe mik i sinqertë për të gjithë investitorët e besueshëm çekë”.

Kupka theksoi se Republika Çeke njeh përkushtimin e Qeverisë së Malit të Zi për reformat dhe drejtimin euroatlantik dhe, siç theksoi ai, Mali i Zi ka mbështetjen e plotë të Republikës Çeke në proceset e integrimit evropian.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në Mal të Zi në sfera të ndryshme të ekonomisë, si infrastruktura, energjia e gjelbër etj.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit theksuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës Çeke, si dhe ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

SHARE