Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur në takime të ndara të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani në takim me Sarrazin kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë.
Osmani në veçanti theksoi mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dalura nga ky proces.
Në të njëjtën kohë, presidentja kosovare shtroi nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Ndërkaq, në takimin e kryeministrit Kurti me emisarin Sarrazin, në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, u diskutua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
Kryeministri Kurti kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor.
Tutje ai tha se Procesi i Berlinit është platforma ku Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik dhe është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm.
Në përvjetorin e 10-të të tij, takimi i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor të këtij viti, në Berlin.