Spanja, Irlanda dhe Norvegjia e njohën zyrtarisht shtetin Palestinez.
Irlanda zyrtarizoi sot njohjen e shtetit palestinez, ashtu siç kishte paralajmëruar pak ditë më parë në një linjë me qeverinë spanjolle e atë norvegjeze.
Vendimi që tërboi Izraelin, e çon në mbi 140 numrin e vendeve anëtare të OKB-së nga 193 që janë gjithsej, të cilat e njohin Palestinën si shtet. Deri më tani, një shtet i vetëm i BE-së, Suedia, e kishte hedhur një hap të tillë 10 vjet më parë, ndërkohë që njohja nga disa vende ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore – dikur nën ndikimin sovjetik – daton që përpara para anëtarësimit të tyre në klubin e Brukselit.
Norvegjia ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë njoftoi se ministri Espen Barth Eide e ka cilësuar si një pikë kthese në aspektin e marrëdhënieve Norvegji-Palestinë këtë “ditë të veçantë”, ku vendi i tij ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Eide kritikoi mungesën e “angazhimit konstruktiv” të Izraelit në lidhje me zgjidhjen me dy shtete dhe theksoi se vendi i tij ka qenë “një nga mbrojtësit më të fortë të shtetit palestinez për më shumë se 30 vjet”.
Kryediplomati Eide tha se vetëm njohja e Palestinës nga shtetet evropiane nuk mjaftonte që ekzistenca e këtij shteti të ishte e “qëndrueshme” dhe dha mesazhin se me vendimin për njohjen e Palestinës ata mbështesin planin e paqes të “zhvilluar edhe më tej me aktorët kryesorë” në rajon pas 7 tetorit.
Qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë miratoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vendimin për njohjen zyrtarisht të shtetit të Palestinës.
Zëdhënësja e Qeverisë dhe ministrja e Arsimit, Pilar Alegria pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave foli në konferencën për media që u mbajt në rezidencën e kryeministrisë Moncloa, në Madrid.
Alegria deklaroi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për njohjen zyrtarisht të shtetit palestinez.
“Ishte një mbledhje speciale e Këshillit të Ministrave. Është një vendim historik dhe ka vetëm një qëllim. Dhe ai është të kontribuojë për paqen”, tha ajo. Duke vënë në dukje se Spanja me vendimin e saj të njëkohshëm të Irlandës dhe Norvegjisë, u bë një nga vendet që njeh Palestinën, Alegria tha se “Spanja duke marrë një vendim historik që është pikë kthese, ajo u shtua në listën e 143 vendeve që njohin shtetin e Palestinës. Ky është vendim i cili është në përputhje me premtimin e Spanjës për drejtësi, qëndrueshmëri dhe paqe”.