ASAMBLEJA PARLAMENTARE E NATO-s MIRATON AVANCIMIN E STATUSIT TË KOSOVËS

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka falënderuar vendet anëtare që e kanë miratuar avancimin e pozitës së Kosovës dhe ka thënë se e ardhmja e vendit që udhëheq ajo është në NATO.

“Ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

“Ky lajm është veçanërisht i përshtatshëm, pasi vjen në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, një prej arritjeve më të mëdha të NATO-s”, shkroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në X.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se avancimi i pozitës së Kosovës i ka ekspozuar të gjitha politikat e dyfishta të Perëndimit, duke pretenduar se “as garancitë e BE-së dhe as NATO-s nuk vlejnë kur bëhet fjalë për serbët”.

“Jemi dëshmitarë se sa shumë, sidomos kohët e fundit, po ushtrojnë presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq është gjemb në këmbë për fuqitë e shumta perëndimore”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta, por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse, por me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

SHARE