Veprat e maestro Gjokajt nga Malësia lanë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore, duke mishëruar aspiratat evropiane të dy vendeve tona mike, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Rruga moderniste e Gjelosh Gjokajt”, e cila u organizua me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij dhe 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi në Prishtinë.
Siç njofton kabineti i zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike, ekspozita është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Fjalën e nderit në hapjen e ekspozitës e mbajtën zëvendëskryeministri Gjeloshaj dhe i ngarkuari me Punë i Ambasadës së Malit të Zi, Bernard Çobi.
Për veprën e Gjelosh Gjokajt folën: filozofi dhe kritiku i shquar, Shkëlzen Maliqi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani – Berisha dhe Sead Gjokaj, kushëri i Gjelosh Gjokajt.
Në ekspozitën, e cila, siç raportohet, tërhoqi shumë vëmendje, të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të jetës politike, diplomatike, akademike, kulturore, mediatike dhe sportive.
Akademiku Gjelosh Gjokaj (1933-2016), i lindur në Malësi, ishte një piktor i njohur me famë botërore, i cili në skenën ndërkombëtare u bë i njohur si “Pikaso i Ballkanit”. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Beograd. Ka dhënë mësim në Prishtinë dhe Cetinë, në fund të viteve të 60-ta jetoi në Romë, ku u bë i famshëm sidomos për origjinalitetin dhe grafikën e tij. Për shumë vite ai jetoi në Augsburg, përpara se të kthehej në fshatin e tij të lindjes Milesh. Ai realizoi 53 ekspozita individuale dhe 62 ekspozita kolektive. Ai është fitues i një numri të madh çmimesh dhe mirënjohjesh prestigjioze, ndër të tjera është fitues i çmimit të Trembëdhjetë Korrikut, dhe titullin e krijuesit të shquar kulturor të Malit të Zi.