IVANOVIQ: NUK ËSHTË NË INTERESIN E ASKUJT NË BALLKAN TË NXISË TENSIONE

Ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, tha se Mali i Zi gjatë muajve të fundit ka arritur të jap energji të re në të gjithë procesin e anëtarësimit në BE dhe të zgjidhë çështjet që i rënduan negociatat me vite.

“Mali i Zi është lider në procesin e integrimit evropian, ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe kemi mbyllur përkohësisht tre. Duke marrë parasysh të gjitha sfidat dhe krizat globale, ne mund ta konsiderojmë atë një sukses. Sipas metodologjisë së re, kapitujt 23 dhe 24 janë ndër të parët që hapen dhe të fundit që mbyllen, duke drejtuar kështu përparimin e mëtejshëm”, tha Ivanoviq.

Ai po ashtu thekson se Qeveria është e fokusuar në përmbushjen e standardeve në fushën e sundimit të ligjit dhe marrjen e një raporti pozitiv për përmbushjen e standardeve të përkohshme (IBAR) në qershor të këtij viti.

“Gjatë muajve të fundit, Mali i Zi arriti të jap energji të re në të gjithë procesin dhe të zgjidhë çështjet që rënduan negociatat me vite. Ne vazhdojmë me të njëjtin ritëm, duke besuar fuqishëm se procesi i negociatave mund të përfundojë në vitet e ardhshme dhe se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së”, thekson shefi i diplomacisë malazeze.  

SHARE