Shqipëria do ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian.
Në vizitën e tij të parë si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tregoi angazhimin që ka Shqipëria për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës, sidomos në NATO.
“Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, integrimin në NATO”.
Vizita e Hasanit vjen në kuadër të turit të tij Ballkanik në kohën kur siguria në rajon është e brishtë. Kryediplomati shqiptar dënoi sulmin terrorist të Banjskës duke kërkuar edhe sjelljen para drejtësisë të sulmuesve.
“Thirrja për të gjithë aktorët dhe faktorët që jetojnë në shekullin XIX, nuk i çohen ushtri fqinjit më të kufiri, askush nuk duhet ë vazhdojë më këtë lojën që është qesharake”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë bëri të ditur se janë prezantuar fakte nga hetimi ndërkombëtarë që po bëhet për sulmin terrorist të Banjskës, por pa dhënë detaje. Hasani përsëriti nevojën që për sigurinë në rajon, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë tutje me dialogun.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara që e vë Kosovën në një pozitë të favorshme. Çdo gjë që është pranuar dhe është rënë dakord duhet zbatuar pa vonesë”.
Nga kryediplomati i Shqipërisë u bë e ditur se do të hapet një drejtori për shqiptarët në rajon, duke theksuar se është e rëndësishme që vetë shqiptarët si populli më proevropian të jenë në qendër të paqes së Ballkanit Perëndimor.
Për këtë, ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës, e falënderoi ministrin e jashtëm të Shqipërisë për bashkëpunimin.
“Mbështetja e ndërsjelltë, bashkërendimi dhe unifikimi i politikave tona na bën të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe sjell rezultate për qytetarët”.
Ministri për Evropën, Igli Hasani është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryekuvendarin Glauk Konjufcën. Pas Prishtinës, ai do shkojë në Shkup dhe Podgoricë.