GJELOSHAJ: NEVOJITET MBËSHTETJE MË E MADHE PËR SIPËRMARRËSIT VENDAS

Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të punojë në përmirësimin e ambientit të biznesit, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetjen e sipërmarrësve vendas, tha ministri Nik Gjeloshaj në Forumin Ekonomik Studentor 2023, me temën „Mali i Zi në rrugën drejt integrimeve evropiane“.

Siç tha ai, sfidat kryesore me të cilat përballet sektori ekonomik në Mal të Zi janë niveli i lartë i ekonomisë gri, prodhimi i pakët dhe administrata publike tepër e rëndë dhe joefikase.

Gjeloshaj njoftoi në një panel brenda forumit se në departamentin që ai drejton po punohet intensivisht në zhvillimin e një strategjie të re të politikës industriale, e cila do të harmonizohet plotësisht me direktivat e BE-së dhe se besojnë se diversifikimi i strukturës së prodhimit, bazuar në transformimin digjital, është çelësi i zhvillimit afatgjatë të ekonomisë.

Ai shtoi se është planifikuar krijimi i një plani veprimi për heqjen e barrierave, i cili do të jetë pjesë e agjendës së reformave në lidhje me Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili ka përcaktuar mbështetjen prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 413 milionë euro janë për Malin e Zi.

Gjeloshaj apeloi që të përkrahet aksioni „Le të blejmë produkte vendore“, sepse, siç vlerësoi ai, me blerjen e produkteve tona tregojmë dashurinë tonë për vendin dhe ndihmojmë edhe ekonominë tonë.

“Analiza jonë tregoi se nëse të gjithë ne shpenzojmë vetëm dhjetë euro në muaj duke zgjedhur produkte vendore, pothuajse 60 milionë euro do të mbesin në Mal të Zi çdo vit. Vetëm imagjinoni sa shkolla, kopshte, reparte spitalore janë ato. Pra, edhe një herë, unë po lutem dhe apeloj të blejmë produkte vendase”, përfundoi Gjeloshaj.

SHARE