Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Andrej Milloviq, ka takuar ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha, dhe me atë rast ka propozuar nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për ekstradimin ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, si një hap kyç drejt përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë juridik.
„Ai theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i mirë, duke shprehur shpresën që në të ardhmen të bëhet edhe më i mirë dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, ambasadorja Zherka Hoxha vlerësoi, siç u tha, bashkëpunimin e deritanishëm mes Malit të Zi dhe Kosovës, por shprehu mospajtim me vendimin e ministrit të mëparshëm të Drejtësisë që Mali i Zi të mos dorëzojë dy persona në kërkim autoriteteve gjyqësore të Kosovës.
“Ajo rikujtoi se Kosova ka ekstraduar një person në Mal të Zi vitin e kaluar dhe aktualisht është në proces të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e një tjetri, pas përfundimit të procesit të ankesës. Krahas marrëveshjes dypalëshe të ekstradimit të propozuar nga ministri Milloviq, ambasadorja Zherka Hoxha propozoi nënshkrimin e dy marrëveshjeve shtesë ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, e para prej të cilave është një marrëveshje për zbatimin e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore, si dhe një marrëveshje për ndihmën e ndërsjellë juridike, me qëllim forcimin e bashkëpunimit juridik mes dy vendeve”, thuhet në deklaratë.
Takimi përfundoi me marrëveshje për hapat e mëtejshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës në fushën e drejtësisë.