BISLIMI: PA NËNSHKRIM TË MARRËVESHJEVE NUK MUND TË ECET DREJT ZBATIMIT

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim bilateral me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, nuk ka pasur takim trilateral të përfaqësuesve Kosovë-Serbi-BE.

Në takimin e Bislimit me Lajçakun u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.

“Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në këtë takim bëhet e ditur se janë trajtuar dhe marrëveshjet të cilat kanë hasur në pengesa e moszbatueshmëri në proces nga pala serbe, siç janë ajo e energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vijon të mbetet e përkushtuar dhe palë konstruktive në proces, e angazhuar maksimalisht për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, shkruan tutje në njoftim.

Ky ishte takimi vijues i procesit pas atij të 26 tetorit të kryeministrit Kurti me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve.

SHARE