KURTI DHE VUÇIQ NË BRUKSEL, TAKIME ME UDHËHEQËSIT EVROPIANË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel.

Ata u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.

“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane.

As Kurti, as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Burime të BE-së thonë se Kurti pritet të takojë sërish gjatë ditës shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa Vuçiq tashmë i ka takuar.

Burimet thonë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësojnë se për çka bëhet fjalë.

Ndonjë takim i përbashkët i Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar, por i njëjti nuk përjashtohet nëse, siç thonë burimet, ka përparim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

SHARE