GJEKA – RASHIQ: INICIATIVA PËR BASHKËPUNIM TË MËTEJSHËM NË FUSHËN E PROMOVIMIT TË RËNDËSISË SË TOLERANCËS DHE BASHKËJETESËS RECIPROKE

Mali i Zi dhe Republika e Kosovës përpiqen të përmirësojnë fushën e të drejtave të njeriut në rrugën e tyre integruese evropiane, është bërë e ditur në takimin e ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Nenad Rashiq.

Ministri Gjeka prezantoi kornizën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Mal të Zi dhe vuri në dukje se është gjithmonë kënaqësi për të që të shkëmbejë praktika të mira me kolegë nga rajoni dhe të diskutojë modele për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Ministri tha se Mali i Zi njihet për karakterin e tij shumëkombësh, multifetar dhe multietnik.

„Gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, Mali i Zi arriti të ruajë paqen në territorin e tij dhe të jetë strehë për një numër të madh të të shpërngulurve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, veçanërisht nga territori i Kosovës,“ tha Gjeka.

Ministri Rashiq falënderoi për mundësinë për të diskutuar mbi temën e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy departamenteve, me qëllim të zhvillimit të iniciativave, projekt ideve për promovimin e rëndësisë së tolerancës dhe bashkëjetesës reciproke, si dhe dialogut ndëretnik.

Ministri prezantoi punën e departamentit që ai drejton dhe theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së ideve për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Në takim u diskutua edhe për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet dy departamenteve. Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe kryetar i Shoqatës së Malazezëve “Lovqen” Lazar Radulloviq dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi Ariana Zherka Hoxha.

SHARE