E ardhmja e Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësia dhe roli i NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Malit të Zi ishin në fokus të Forumit të 13-të të Sigurisë 2BS, i cili u mbajt në Budva, organizuar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi.
Përfaqësuesja e Aleancës Atlantike të Malit të Zi, Millica Pejanoviq Gjurishiq, në hapje tha se do të vazhdojnë të promovojnë vlerat euroatlantike në Mal të Zi.
“Forcimi i aleancës transatlantike është një nga përgjigjet më domethënëse ndaj krizës ukrainase. Samiti në Vilnius tregoi se NATO nuk është kurrë më e fortë dhe kurrë më e bashkuar”, tha Pejanoviq Gjurishiq.
Ajo kujtoi se kërcënimi për rajonin përfaqësohet nga aktorë malinj që duan të ndërpresin integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit.
Deputeti sllovak i Parlamentit Evropian, Vlladimir Bilçik, tha se është e nevojshme të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Është koha për të konstituuar Parlamentin e Malit të Zi. Duhet të jetë i përbërë në mënyrë adekuate. Pas kësaj, shpresoj që gjërat të fillojnë të lëvizin nga ngërçi”, tha Bilçik.
Ambasadorja amerikane Xhudi Rajzing Rajnke deklaroi se në Mal të Zi vendimet kryesore janë në duart e disa liderëve politikë.
Ajo theksoi se shumica e qytetarëve votuan qartë për unitetin evropian.
“Ne kemi nevojë për një qeveri që është e gatshme të punojë për një të ardhme euro-atlantike, subjektet e së cilës janë të përkushtuar ndaj vlerave euro-atlantike dhe e cila është e gatshme të ndërtojë institucione të forta dhe të kuptojë të gjitha aspektet, veçanërisht ato teknike, të procesit të ardhshëm,” tha ambasadorja.
Siç tha ajo, një proces i lirë zgjedhor dhe një sistem politik demokratik janë më të fortë se çdo armë lufte.
“Të jesh i sigurt do të thotë të jesh i lirë dhe i begatë. Këto janë vlerat në SHBA dhe ne jemi me ju ndërsa luftoni për liri”, theksoi Rajzing Rajnke.