MILLAN RADOIÇIQ LIROHET NGA MBAJTJA, I NDALOHET SHKUARJA NË KOSOVË

Gjykata e Lartë në Beograd ka njoftuar se e ka liruar nga mbajtja ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, një ditë pas marrjes në pyetje.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.

Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiqit i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

SHARE