MILLATOVIQ: DATA E RE E ZGJERIMIT TË BE-së ËSHTË DISI DEKURAJUESE

Data e re e përmendur në kuadër të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), 2030, është disi dekurajuese, sidomos për vendet që janë më të avancuara në atë proces, ka vlerësuar presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Pas takimit me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bethel, ai tha se në periudhën paraprake ka munguar një komunikim më i fortë mes Malit të Zi dhe autoriteteve malazeze dhe kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE-së.

“Deri më tani komunikimi kryesisht ka ekzistuar ndërmjet Malit të Zi dhe Komisionit Evropian (KE), por ju e dini se një hallkë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi është pikërisht mbështetja që marrim nga shtetet anëtare”, tha Millatoviq.

Ai shtoi se pikërisht ky është qëllimi i vizitave të tij, për të forcuar prezencën dhe komunikimin mes Malit të Zi dhe vendeve anëtare.

Sipas Millatoviqit, Luksemburgu, si një vend i vogël i ngjashëm me Malin e Zi në shumë aspekte, mund të jetë një zë i fortë mbështetës për Malin e Zi në rrugën e tij të mëtejshme drejt BE-së.

“Data e re e përmendur, viti 2030, është pak dekurajuese, veçanërisht për vendet që janë më të avancuara në atë proces dhe këtu, mbi të gjitha, mendoj për Malin e Zi”, tha Millatoviq.

Ai shtoi se pikërisht ky është mesazhi që dëshiron t’u përcjellë kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE-së dhe KE-së – se Mali i Zi, në kuadër të procesit të zgjerimit, është më i avancuari nga të gjitha vendet.

SHARE