Ministri i Sportit dhe Rinisë Vasillije Llallosheviq me bashkëpuntorë ka vizituar terrenin sportiv të Gjimnazit “25 Maj” në Tuz, ndërtimi i të cilit është financuar nga Ministria me 28 mijë euro.
Fusha është praktike edhe për futboll, hendboll dhe basketboll dhe nga kjo do të përfitojnë të gjithë të rinjtë e asaj komune.
Gjatë kësaj vizite, ministri paralajmëroi ndihmë për gjimnazin, për pajisjen e sallës së shkollës me orendi sportive.
Kjo vizitë është inicuar me ftesë të trajnerit të klubit taekwondo “Besa”, Nikollë Gegaj dhe kryetarit të klubit Lubo Gojçaj.
Ai është krijuesi i Shtëpisë së Sportit në atë komunë, e cila është vend qendror për sportet e taekwondo-së, por edhe për sportet e tjera në Malësi dhe gjithë Malin e Zi.
Ministri Llallosheviq u shpreh i kënaqur gjatë vizitës në objektin e planifikuar për Shtëpinë e ardhshme të Sportit.
“Klubi i taekwondo-së “Besa” është krenari jo vetëm për Tuzin, por edhe për Malin e Zi. Ju tashmë keni bërë kampionë. Ato janë Angjella dhe Andrea Berishaj dhe garues të tjerë nga Malësia. Nuk kam dyshim se do të jemi krenarë në Paris dhe do të shohim një nga motrat në Lojërat Olimpike. Kur shikoj dhomën tuaj të trofeve, shoh se jemi në rrugën e duhur”, tha ministri Llallosheviq.
Ai shtoi se Shtëpia e Sportit do të jetë përfaqësuese dhe bashkëpunimi i Ministrisë me Komunën e Tuzit dhe diasporën përgjegjëse do ta çojë deri në fund këtë projekt.
Sipas planeve aktuale, Ministria do të ndajë 40 mijë euro për këtë objekt infrastrukturor. Është një tjetër në një seri projektesh në infrastrukturën sportive që mbështet Ministria në rreth 20 qytete në Mal të Zi.