RAMA NË SARAJEVË: DUAM T’I MBROJMË INTERESAT E KOSOVËS PËRMES PROCESIT TË BERLINIT

Nuk është sekret që ne duam t’i mbrojmë interesat e Kosovës përmes Procesit të Berlinit dhe duam të arrijmë lirinë e lëvizjes dhe mënyra më e mirë është përmes përdorimit të letërnjoftimeve, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Sarajevë pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

“Shpresoj që Bosnjë e Hercegovina të nënshkruajë një marrëveshje të tillë, sipas modelit të Serbisë. Në tetor në Tiranë ne duhet të kemi një qëndrim të përbashkët për të gjitha çështjet që na shqetësojnë, dhe çështjet që janë ngritur dhe që na shqetësojnë të gjithëve së bashku”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten vazhdoi turneun e tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, turne ky që, sipas Ramës, synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, në të cilin, sipas kryeministrit shqiptar do të bëhet bilanci i arritjeve të këtij procesi. Kryeministri Rama tha, po ashtu, se Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Bosnjë e Hercegovinën dhe se po punojnë që të hapin Ambasadën e Shqipërisë në Bosnje. Krishto, ndërkaq, tha se me Ramën kanë diskutuar për “raportet e mira dhe miqësore” ndërmjet dy shteteve.

“Ne nuk kemi çështje të hapura. Ne vumë në theks bashkëpunimin rajonal dhe se vazhdojmë të jemi të përkushtuar në Procesin e Berlinit”, tha Krishto.

SHARE