MINSTRIA E PUNËVE PUBLIKE: NIS ZBATIMIN MARRËVESHJA E MALIT TË ZI DHE SHBA-së PËR PROJEKTET STRATEGJIKE

Foto: Ministria e Punëve Publike / Ministarstvo javnih radova

Ministria e Punëve Publike ka bërë të ditur se ka nisur zbatimi i Marrëveshjes Ndërqeveritare ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në realizimin e projekteve strategjike, e nënshkruar më 24 korrik në Uashington.

Në kuadër të marrëveshjes, pala malazeze i ka dorëzuar palës amerikane dy projektet e para strategjike.

Bëhet fjalë për Korridorin Adriatiko-Jonian, një projekt strategjik infrastrukturor që përfshin infrastrukturën e transportit, energjisë dhe atë digjitale, me synim përmirësimin e lidhjes rajonale të Malit të Zi.

Projekti i dytë është Sistemi Kombëtar i Integruar për skanimin e ngarkesave dhe modernizimin e kontrollit kufitar, i cili synon forcimin e kapaciteteve doganore, kontroll më efikas të mallrave dhe rritjen e sigurisë kufitare.

Për të dy projektet është publikuar thirrje për shprehje interesi për kompanitë amerikane.

Nga Ministria e Punëve Publike thonë se dorëzimi i këtyre projekteve shënon fillimin konkret të zbatimit të marrëveshjes dhe hap rrugën për një partneritet më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara në projekte me rëndësi strategjike për Malin e Zi.

Sipas ministrisë, ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik dhe forcimin afatgjatë të lidhjeve ndërkombëtare të Malit të Zi.

SHARE