MURTAJA AFRIKANE E DERRAVE AKTUALISHT PO ANASHKALON MALIN E ZI DHE SHQIPËRINË

Administrata për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Çështjet Fitosanitare është dashur të zgjerojë urgjentisht listën e vendeve nga të cilat është i ndaluar importi i derrit dhe mishit të derrit, sepse murtaja afrikane e derrave, përveç Serbisë, është përhapur edhe në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Drejtori i Administratës, Vlladimir Gjakoviq tha se janë shtuar masat paraprake.

Siç tha ai, javën e kaluar janë regjistruar rastet e para të sëmundjes infektive me përhapje të shpejtë në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

“Edhe pse bëhet fjalë për shfaqjen e kësaj sëmundjeje në rajonet veriore të këtyre dy vendeve, ky është një alarm shtesë për Malin e Zi, i cili fatmirësisht ende nuk është prekur nga infeksioni. Për shkak të situatës së re, lista u përditësua për të përfshirë këto dy vende, kështu që ndalimi i importit të derrave të gjallë, mishit të derrit të freskët dhe produkteve të mishit nga këto dy vende është aktualisht në fuqi, duke rritur numrin e vendeve të përfshira në këtë urdhër në 45”, shpjegoi Gjakoviq.

Ndalimi i importit vlen për Gjermaninë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë, Italinë, Republikën Çeke, Greqinë dhe një pjesë të Kroacisë.

Ndalimi është gjithashtu në fuqi për Rumaninë, Bullgarinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Butanin, Republikën Domenikane, Filipinet, Haitin, Timorin Lindor, Indonezinë, Indinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut dhe Kinën.

SHARE