KURTI: KEMI IDENTIFIKUAR 45 PERSONA PËR SULMET NË VERI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona – identifikim i saktë – që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë më 3 korrik.

Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

SHARE