Janë liruar katër qytetarët e Kosovës të arrestuar nga dita e martë nga Serbia në pikën kufitare në Merdare, të cilët kishin qëllim kalimin nga Serbia për të shkuar në Gjermani.
Pas lirimit të tyre, disa prej tyre janë deklaruar për media me të hyrë në territorin kosovar.
Njëri nga qytetarët që është liruar të enjten nga Serbia, Dervish Maliqi, ka thënë se janë trajtuar mirë nga policia serbe.
“Sapo kemi dalë në anën serbe jemi ndaluar dhe na kanë marrë dokumentet dhe më pastaj nuk kemi ditur asgjë, për të na dërguar pastaj në Kurshumli ku kemi qëndruar për rreth dy orë”, theksoi ai.
Ai tha se edhe policët kanë thënë se arrestimi i tyre lidhej me aktualitetin politik në Kosovë. Megjithatë, qytetari kosovar është shprehur i pasigurt se do ta bëjë sërish të njëjtën rrugë.
Do të vazhdojmë ndoshta nga rruga e Malit të Zi-Kroaci dhe nuk do t’u kisha preferuar mërgimtarëve ta kalojnë këtë rrugë, për shkak se mund të akuzohen pa bazë”, tha ai.
Katër qytetarë, shtetas të Kosovës, u liruan nga Prokuroria e Kurshumlisë, pasi ishin ndaluar të martën në pikën kufitare në Merdare. Institucionet serbe po ashtu po vazhdojnë të mbajnë nën arrest edhe tre zyrtarë policorë të kidnapuar të mërkurën në territorin kosovar, sipas autoriteteve kosovare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u kanë bërë thirrje autoriteteve serbe dhe palës ndërkombëtare që të reagojnë për të mundësuar lirimin e menjëhershëm të policëve.
Partitë parlamentare të Kosovës i kanë dënuar, siç e kanë quajtur ato, aktin e rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat
serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si agresion kundër Kosovës. Sipas tyre, pas këtij akti, nuk mund të thuhet se në Kosovë është gjendje e zakonshme.