LAJÇAK: TENSIONET JANË ENDE TË LARTA

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha se “tensionet janë ende të larta” mes dy vendeve, teksa tha se ai dhe emisari amerikan Gabriel Escobar kanë “shpresuar për më shumë” rezultate gjatë vizitës së tyre në Beograd e Prishtinë.

Qëllimi i udhëtimit të tyre ishte adresimi i situatës së tensionuar në veri të Kosovës dhe eksplorimi i mundësive për një zgjidhje politike.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Lajçak tha se ata shprehën shqetësimet e tyre për situatën e krijuar dhe theksuan urgjencën për shtensionim të situatës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç shtensionimit të menjëhershëm, u kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme në veri, me pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës dhe kthimin e palëve në dialog për normalizimim të raporteve. Këto pika u përsëritën gjatë takimeve të tyre me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.

“Pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Evropa dhe SHBA, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar Lajçak.

Një ditë më parë Escobar tha se SHBA-ja është e angazhuar që të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Escobar.

SHARE