Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe modelja me famë botërore, Emina Çunmulaj hapën sot zyrtarisht – Sheshin e ri të Tuzit.
Kryetari Gjeloshaj, në fjalën e rastit, mes tjerash tha: “Investimi prej 900.240,24 € për ndërtimin e këtij sheshi është ndër investimet më të rëndësishme, i cili i jep jetë dhe gjallëri qytetit. Një shesh ku qytetarët mund të argëtohen dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë – por jo vetëm, është gjithashtu vend ku do të ketë shumë aktivitete kulturore e sportive”.
Ai falënderoi Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e Bashkisë, Erion Veliajn për kontributin e jashtëzakonshëm duke bërë financimin e komplet sheshit, duke sjellë një pjesë të Tiranës këtu.
Në anën tjetër, modelja Emina Çunmulaj shprehu entuziazmin për mënyrën se si çdo ditë e më shumë po transformohet vendlindja e saj dhe kënaqësinë që ndjen sa herë që kthehet këtu së bashku me familjen e vet.