BLINKEN PARALAJMËRON KOSOVËN DHE SERBINË: TENSIONET PENGOJNË INTEGRIMET EUROATLANTIKE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai paralajmëroi se situata aktuale i pengon proceset e integrimit euroatlantik për të dyja vendeve.

“Ne e mbështesim procesin e integrimit euroatlantik për Kosovën dhe Serbinë. Por, përshkallëzimi aktual më shumë i pengon sesa i ndihmon përpjekjet për të ecur në atë drejtim”, tha ai.

“Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit që janë ndërmarrë. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejt liderëve të përfshirë duke përfshirë kryeministrin Kurti”, tha Blinken.

Blinken paralajmëroi kundër “veprimeve unilaterale” nga secila palë, pasi Serbia gjithashtu vuri ushtrinë e saj në gatishmëri.

Ai tha se një e ardhme evropiane do të përmbushte “aspiratat e njerëzve në të dyja vendet”.

Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Blinken ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës disa herë, duke i bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

SHARE