Inflacioni i vazhdueshëm e ka shtyrë Gjermaninë në recesion, në tre muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Statistikave, Destatis.
Mbi ekonominë më të madhe në Evropë, ka rënduar edhe situata me furnizimet me gaz rus, pas nisjes së luftës në Ukrainë, kanë thënë analistët. Ekonomia është tkurrur për 0.3 për qind në periudhën janar – mars, ka thënë Zyra e Statistikave.
Kjo shifër e ka pasuar një tkurrje prej 0.5 për qind në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.
Një shtet konsiderohet se është në recesion kur ekonomia i tkurret për periudhë gjashtëmujore.
“Si pasojë e inflacionit të vazhdueshëm, konsumi gjerman ka rënë në gjunjë, duke e tërhequr gjithë ekonominë poshtë”, ka thënë Andreas Scheuerle, analist në DekaBank.
Inflacioni në Gjermani ka prekur shifrën 7.2 për qind në prill. Kjo shifër është e lartë sesa mesatarja e vendeve të Eurozonës, por më e vogël sesa inflacioni në Mbretëri të Bashkuar, prej 8.7 për qind.
Çmimet e larta vërehen më së shumti në produkte ushqimore, në veshmbathje me mobilieri.
Megjithatë, sipas analistëve, recesioni është më i vogël sesa është parashikuar, duke marrë parasysh varësinë e madhe të Gjermanisë ndaj gazit rus.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që Gjermania do të jetë ndër ekonomitë më të dobëta – në grupin e ekonomive të avancuara – me një tkurrje prej 0.1 për qind.