Në raportin e organizatës joqeveritare amerikane Freedom House për “Vendet në Tranzicion 2023”, kur bëhet fjalë për gjendjen e demokracisë, në Mal të Zi është vërejtur një kthim prapa.
Raporti i Freedom House thotë se polarizimi politik në Mal të Zi, kryesisht rreth çështjes së identitetit kombëtar, çoi në rënien e dy qeverive.
Gjithashtu, në Kuvend janë miratuar ligje që cenojnë të drejtat themelore të njeriut, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ka kuorum për shqyrtimin e akteve të kontestuara.
Megjithatë, humbja e fundit e Millo Gjukanoviq, i cili udhëhoqi vendin për më shumë se tre dekada, në zgjedhjet presidenciale në prill 2023, ngjall shpresat se do të ketë një ndryshim të brezave, sipas Freedom House.
Sipas raportit, Mali i Zi, ashtu si vitin e kaluar, është në kategorinë e qeverive në tranzicion apo regjim hibrid.
“Qytetarët e Malit të Zi gëzojnë liri më të madhe, kanë paga më të mira dhe çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme,” tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, duke shtuar se qytetarët duhet të vlerësojnë vetë gjendjen e demokracisë në vend dhe se nuk kanë nevojë për raportin e Freedom House.