BE DHE SHBA KRITIKOJNË VIZITËN E DODIKUT NË MOSKË

Bashkimi Evropian ka kritikuar vizitën e liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, në Moskë dhe takimin që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Dodik u takua më 23 maj me Putinin në Moskë dhe i tha se entiteti i Republikës Sërpska vazhdon të jetë pro-ruse.

BE-ja tha se mbajtja e lidhjeve me Rusinë sot shihet si veprim që është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe me aspiratat strategjike për integrim në bllokun evropian.

“BE-ja ka rikujtuar në disa raste, dhe së fundmi edhe nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm, që u mbajt të hënën me ministrat e Ballkanit Perëndimor, se mbajtja e lidhjeve të afërta me Rusinë është në kundërshtim me rrugën drejt BE-së”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano shtoi se blloku evropian dëshiron të “llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnere të besueshme për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin”.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar takimin e Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

Ata takimin e Dodikut me Putinin e quajtën veprim shkurtpamës.

SHARE