Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se senatorët amerikanë shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ndërkohë në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera.
Duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, sipas njoftimit, ka nënvizuar nevojën e përkthimit të dakordimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Presidenti Begaj.
“Presidenti Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendjeje në rritje”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre”.
Sipas njoftimit, Presidenti Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe “rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon”.
“Kreu i shtetit, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, përmes rezolutave të ndryshme”, thuhet në njoftim.